Kalendari

Takvimi

Takvimet Tjera

Arabët në Bosnje



Dëshiroj t'i them nja dy fjalë edhe për vëllezërit arabë të cilët vijnë në viset tona për shkaqe të ndryshme. Tek populli ynë ekziston respekt i veçantë ndaj arabëve, sigurisht nga arsyeja se Pejgamberi a.s. ka qenë arab. Në një hadith, për të cilin muhadithët thonë se është i dobët (daif), rekomandohet se duhet t'i duam arabët për tri shkaqe, e njëri prej tyre është sepse Pejgamberi a.s. ka qenë arab.

Për shumicën e popullit tonë të gjithë arabët janë të njëjtë. Thonë: "Ata e flasin gjuhën arabe dhe ata, natyrisht, më së miri e kuptojnë fenë". Ndërsa në realitet nuk është ashtu. Edhe në mesin e arabëve ka dijetarë por ka edhe xhahila në çështjet e fesë. Në viset tona kanë ardhur shumë pak dijetarë. P.sh. posaçërisht duhet theksuar vizitën e dijetarit të madh islam Shekib Arslanit, i cili e ka vizituar Bosnjen në kohërat më të hershme, dhe është mahnitur me dijetarët që kishte Bosnja. Secila qytezë atëherë kishte edhe kadi edhe mufti, kurse Sarajeva ishte kryeqendër e ilmit.

Nuk është shënuar se Shekib Arslani apo ndonjë dijetar tjetër i ka porositur Boshnjakët-muslimanët: "Lerëni medhhebin hanefij sepse ai nuk vyen, nuk është i bazuar në Kur'an dhe Sunnet"! Zoti na ruajt! Në viset tona më së shumti kanë ardhur e po vijnë ata që nuk janë dijetarë. Arabë të rëndomtë. Ata normalisht falen dhe e kryejnë ibadetin ashtu siç kanë mësuar nga imamët e tyre në vendet prej nga vijnë. Njerëzit tonë i porosisim të kenë më tepër mirëkuptim, arabët le të falen ashtu siç kanë mësuar. Le t'i lënë të qetë.

Mirëpo, është evidente se njerëzit tonë i lënë ata të qetë, por (arabët) nuk po i lënë këta. Problemet kanë lindur gjatë përpjekjes së ndërrimit të medhhebit. Ka ardhë deri aty puna, sa që në disa vende në Bosnje, disa haptas flasin dhe shkruajnë kundër medhhebeve, e sidomos kundër atij hanefij sepse ai është i njohur në midiset tona.

Disa të ndihmuar edhe nga njerëzit tonë të paarsimuar i janë përveshur punës së ndërrimit të medhhebit duke konsideruar se Boshnjakët-muslimanët më tepër se pesëqind vjet gabimisht falen dhe manifestojnë fenë e tyre. Fitohet përshtypja se ky është plan i menduar mirë me të cilin dëshirohet që brenda korpusit fetar të boshnjakëve të ndizet zjarri. Asnjë i mençur nga bota islame nuk do t'i lejojë përpjekjet dhe potezat e tillë.

Dy broshura të atij lloji janë paraqitur në territorin e Bosnjës dhe në to qartë dhe haptas thirret populli ynë musliman për kryengritje kundër medhhebit hanefij dhe vendosja e faljes së re "sipas sunnetit". Ata më të vetëdijshmit e popullit tonë me kohë kanë reaguar dhe haptas kanë tërhequr vërejtjen për rrezikun i cili fshihet pas këtyre përpjekjeve. Fjala është për librat: "BOTËKUPTIMET TË CILAT DUHET T'I PËRMIRËSOJMË" nga Imad El-Misri dhe "MUHTESAR AHKAM FIKHIJJE" nga Ebu Usame, i cili siç qëndron në kaptinë posaçërisht u dedikohet imamëve dhe studentëve. Ata i hapin do farë qendra islame në të cilat mësohen të rinjtë, pjesë përbërëse e arsimimit në ato qendra është që te ata të rinjtë të zhvillohet oportunizmi dhe qëndrimi opozitar ndaj organeve zyrtare të Bashkësisë islame dhe e propagojnë "Islamin e vërtetë".

Në Visoko, përbri xhamisë është hapur një qendër e tillë në të cilën misionarët haptas u kanë bërë thirrje fëmijëve që të mos shkojnë në xhami te imami sepse ai nuk ua mëson Islamin e vërtetë, andaj organet zyrtare janë detyruar të reagojnë që ajo qendër të mbyllet.

Nga Gjermania jo moti një djalosh ka shkuar në Bosnje, atje qëndron 7 ditë dhe vjen me "zbulimin" se medhhebi hanefij nuk është i drejtë, andaj duhet të falemi sipas Sunnetit, të cilën gjë ai e kishte mësuar për 7 ditë. Në Austri, para pak kohësh në një tubim disa të rinjë, të cilët kanë përvetësuar "mënyrën e re të faljes sipas Sunnetit", i kanë provokuar të plagosurit e Bosnjës, njëri prej të cilëve i kishte humbur të dy sytë, kurse një tjetër përplot lëndime, duke u thënë "se nuk janë muxhahidë të vërtetë".

Në këto banalitete dhe marrëzi kishin qëlluar disa njërës të cilët i kishin rrahur këta "interpretues të rinj të fesë". Ja ku shpie mësimi i tillë. Së këndejmi edhe njëherë i tërheqim vërejtjen popullit tonë nga këto novitete. Dikujt do t'i konvenonte afganistanizimi i Bosnjës. Neve muslimanëve kjo nuk na nevojitet. Ata, të cilët kanë ardhur në Bosnje, për t'u ndihmuar vëllezërve të tyre Boshnjakë-muslimanë, u rekomandojmë që të heqin dorë nga kjo punë boshe dhe le t'i kryejnë në nivel detyrat dhe emanetet që u janë besuar nga vëllezërit donatorë nga bota islame.

E lusim Allahun xh.sh. që të na dhurojë dijetarë, të cilët Islamin do të mund ta futin si alternativë në realitetin e pranisë së shumë ideve të errëta e të ndërlikuara të cilat ofrohen nga të gjitha anët.

- { رَبَّناَ اغْفِرْ لَناَ وَ لِإِخْواَنِناَ الَّذِينَ سَبَقُوناَ بِالْإِيماَنِ وَ لاَ تَجْعَلْ فِي قُلُوبِناَ غِلاًّ لِلَّذِينَ آمَنُوا رَبَّناَ إِنَّكَ رَءُوفٌ رَحِيمٌ } -
" ... Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i butë, mëshirues.", (El-Hashr,10).



Autor: Fikret Arnaut, Përktheu: Miftar Ajdini,
marrë nga libri: "Medh'hebet në islam - novatori apo domosdoshmëri",
boton: KBI-Prizren, 2000 Prizren.

© vehabizmi.com | 2008-2012 | Designed by hoQJani @